Votoni për Shqipërinë dhe jo për babëzinë. Votoni Pro zhvillimit jo pro oligarkëve.
Në takimin me strukturat elektorale të PAA për qarkun e Tiranës dhe LRA, Kryetari i PAA z. Duka theksoi se: “Standardet e zgjedhjeve 2021 do të përcaktojnë fatin e Shqipërisë, drejt demokracisë perëndimore, perëndimit apo drejt një autokracie. Shqiptarët të votojnë me zemër për Shqipërinë dhe jo me besnikëri fanatike për partinë”. Kryetari Duka qartësoi se:
- PAA ka vetëm një mision politik, të përdorë votën mbështetëse për reforma që lehtësojnë dhe përmirësojnë jetën e fermerëve, që ju sigurojnë atyre mundësi reale të rritjes së të ardhurave që të ndalet braktisja e vendin. Nuk mund të ketë Shqipëri europiane pa standarde europiane të gjysmës së Shqipërisë që punojnë dhe jetojnë ne zonat rurale.
- PAA do të konkurojë me një program të qartë qeverisës dhe jo thjesht me një program elektoral.
- PAA do të jetë mbështetëse e fortë e vlerave dhe standarteve europiane për ndarjen, balancën dhe kontrollin e pushteteve, për funksionimin e shtetit ligjor, për kufizimin e korrupsionit dhe kapjes së shtetit.
- PAA do të synojë rritjen dyfish të buxhetit për zonat rurale, krijimin e një banke zhvillimi, krijimin e një skeme sigurimi mbrojtëse për fermerët nga fatkeqësitë natyrore, rritjen e mbështetjes financiare me kosto të ulët për mikro-kredinë dhe mikro-financën.
- PAA mirëpret çdo votues i cili e dëshiron dhe përkushtohet për ndryshimin e madh, jo thjesht për rotacionin politik por edhe për ndryshimin e madh politik ku nuk konkurohet për tepsitë dhe kazanët por për Shqipërinë dhe Shqiptarët.
- Objektivat politikë të PAA për zgjedhjet parlamentare 2021 janë të qarta po ashtu edhe mbështetja publike. Anëtarët, mbështetësit dhe simpatizantët e PAA duhet të punojnë 24 orë dhe shtatë ditë të javës për të krijuar koalicionin e madh, koalicionin e vlerave humane kundër anti-vlerave.
- Të bashkohemi për ti dhënë fund kapjes së shtetit dhe vendin e tij në shërbim të pak oligarkëve që rriten jo se janë më të suksesshëm por sepse janë aksionarë në keq-qeverisjen e vendit me paratë e hedhura në tepsitë dhe kazanët e korrupsionit ku disa politikanë janë pasuruar nga kapja e shtetit nga oligarkët.
PAA apelon që mazhoranca të presë rekomandimet nga komisioni i Venecias dhe ti respektojë ato. Kërkesa e komisionerit për zgjerimin shpreh vullnetin pozitiv të BE për Shqipërinë. Injorimi i kësaj kërkese dëmton hapjen e negociatave.