Të rinjtë e Forumit Rinor të PAA ndihmojnë personat në nevojë me rastin e Pashkëve

170

Të rinjtë e Forumit të Partisë Agrare Ambientaliste, nën moton “Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe” në ditën e shënuar të Pashkës Ortodokse me vullnetin e tyre janë organizuar duke trokitur në mensën e bamirësisë “Shërbimi i Dashurisë” në Tiranë.

E bukura e këtij organizimi sipas Ilir Azizollit anëtar i Forumit Rinor të Tiranës është që, pavarësisht shumë gjërave të ndryshme që mund të kemi ne si të rinj, po bashkohemi sot me një qëllim të përbashkët, të dhurojnë dashuri dhe të ndihmojnë një pjesë të komunitetit në nevojë.

Ky është qëllimi kryesor i vullnetarizmit të Forumit Rinor te PAA, të bësh mirë, të ndihmosh të tjerët. Sot puna vullnetare nuk vlerësohet, për  Forumin Rinor të Partisë Agrare Ambientaliste  një buzëqeshje e vogël është një vlerësim i madh dhe buzëqeshja e qindra njerëzve është shpërblimi më e bukur që mund të marrësh nga një punë e bërë me dashuri.

Gjatë vizitës në këtë mensë të rinjë u takuan edhe me Dhjakon Nikolla Kodheli, i cili gjatë një bashkëbisedimi me ta, tha se janë të rralla rastet e vullnetarizmit. Ai u bëri thirrje të rinjve se kjo është e vetmja rrugë për një shoqëri të mirë, që në gjirin e saj të mos ketë njerëz të këqinj, do të thotë që të mos ketë të uritur. Uria i shtyn njerëzit në vjedhje, i bën ata të lënë rrugën e mirë, e kështu prishin gjithë shoqërinë.

“Unë desha tju shpjegoj dy fjalë për mensën. Kjo mensë quhet shërbimi i dashurisë dhe është themeluar nga kryepeshkopata e Tiranës dhe me mbështetjen kryesore të kryepeshkopit Anastas. Ka funksionuar që nga janari i vitit 2005. Qëllimi ynë është t’u ofrojmë ushqimin bazë dhe esencial njerëzve që kanë nevojë. Si do të ndiheshim ne nëse do të shkonim në shtëpi dhe nuk do të gjenim ushqimin bazë. Njeriu është qenie psikosomatike, ka trupin ka edhe shpirtin. Nuk mund të adhurojë perëndinë nëse barkun e ka bosh. Nuk mund të logjikojë dot drejt, dhe mund ta kthejmë padashje këtë njeri, në një njeri hajdut. Në një njeri të keq të shoqërisë. Dhe duke qënë i keq mund të na bëjë keq ne. Dhe e keqja mund të na kthehet sërish ne. Duke ndihmuar të tjetër ne ndihmojmë veten tonë. Ndaj ju falenderoj të gjithë ju sot, që erdhët dhe u bëtë pjesë e kësaj mense. Vullnetarizmi është gjë e madhe sot. Na mungon shpesh herë vullnetarizmi. E cilësojmë si një punë që nuk më përket mua. Ju falenderoj nga zemra të gjithëve për dhuratat e bukura që na sollët. Por edhe për prezencën tuaj personale. Shpesh herë ajo që bëhet le të bëhet me dashuri dhe mirësi. Dashuria dhe buzëqeshja që u japim ne këtyre njerëzve mbetet më shumë se sa ushqim, perëndia ju bekoftë dhe ju shoftë dëshirën për të bërë mirë” tha Dhjakon Nikolla Kodheli.

Forumi Rinor i Partisë Agrare Ambientaliste në këtë ditë të shënuar fetare i bën thirrje të gjithë të rinjve të bëhen pjesë e strategjisë për nxitjen e vullnetarizmit, ndërgjegjesimit të komunitetit.

Të rinjtë vullnetarë të PAA-së mund të ofrojnë ndihmën e tyre në fusha të ndryshme si: shëndetësia, arsimi, shërbimet sociale etj, duke përfituar në të njëjtën kohë eksperiencën dhe rritjen profesionale”. Nisma e sotme e Forumit Rinor të PAA do të pasohet me të tjera sipërrmarrje vullnetare.