Shqipëria nuk mban më

766

Megjithëse, kam rreth 15 vjet që jam pjesë e politikës, nuk ndihem aspak mirë , të dal në këtë podium jo thjesht përpara jush por para shqiptarëve, për të kërkuar atë që duhej t’ia kishim dhënë vite e vite më parë: zgjedhje të lira dhe të ndershme, në mënyrë që vota e shqiptarëve të lexohet ashtu siç duhet, duke e  lënë atë të shkojë në destinacionin që votuesit dëshirojnë.Jam i bindur se shumë e shumë vite më pas kur dikush t’i kthehet arkivës së këtij parlamenti dhe të dëgjojë këtë fjalim që po mbaj unë sot, do të habitet që daton 22 dhjetor 2016. Koha që do t’i rrinte më mirë këtij fjalimi duhej të ishte dhjetori i vitit 1992.Besoj se asnjë nga ne, në këtë sallë, pavarësisht kahut politik, nuk ka sesi të ndjehet mirë kur për vite e vite me radhë shikon , edhe  vende më të vogla se ne, dhe me dhjetëra probleme të mëdha etnike dhe fetare, ti shpallin rezultatet e votimeve 3 – 4 orë pas përfundimit të tyre, ndërkohë që ne na duhen dite e  jave. Jam i bindur që asnjë nga ne nuk ndjehet mirë kur pikërisht për shkak të këtyre vonesave anembanë, vendit shohim të ndodhin edhe plagosje ,edhe sherre mes numëruesve, madje në ndonjë rast edhe vrasje.Fatkeqësia është se vazhdojmë e vazhdojmë, si klasë politike, të përsërisim të njëjtat gabime. Shumica e partive politike dhe sidomos ato të mëdha janë gjithmonë në peshkim për të ashtuquajtur numërues të “fortë”, jo vetëm me muskuj, por fatkeqësisht dhe me precedentë penalë, të bindur se vetëm kështu mund të ruajnë dhe të numërojnë votat e tyre. Vetëm në Shqipëri, atij që numëron votat i premtohen në këmbim vende pune, i premtohen tendera, e dhjetëra favore të tjera që deformojnë votën e shqiptarëve.

Deformimi i votës, blerja e saj, bashkë me errësirën në financimin e partive, e cila është një fushë ku ka dhe një mungesë të theksuar të kuadrit ligjor,sipas mendimit tim,jane arsyet bazë që Parlamenti Shqiptar i vitit 2016, për nga përbërja dhe cilësia e njerëzve është ku e ku më dobët se përbërja e Parlamentit të Vitit 1992, është kjo arsyeja që vitrina e një populli, Parlamenti, bëhet gjithmonë e më shumë pis, është kjo arsyeja që një trafikant e ka më të lehtë se një profesor apo agronom të hyjë në këtë sallë, është kjo arsyeja që në këtë sallë mungojnë debatet konstruktive në të mirë të rimëkëmbjes së vendit, fundja e fundit janë këto aresyet që Shqipëria nuk është aty ku duhet të ishte, dhe është po kjo arsyeja bazë që ky popull ka neveri më shumë se kurrë për klasën politike dhe politikën në përgjithësi.

Thirrja ime dhe e kolegëve të mi, të cilët kanë ngritur zërin më fort se të tjerët, në kohën që po jetojmë, nuk mbetet thjesht thirrje, por ajo  kthehet në klithmë. Perse e them këtë?

E them sepse shohim çdo ditë, që po jetojmë në një ekonomi të kriminalizuar. Fushat e Shqipërisë para dhe pas malit janë të mbjella më shumë se kurrë me hashash.

Po lulëzon një ekonomi kriminale e kontrolluar nga lart dhe aspak sporadike nga poshtë, ku jo më shumë se 5 mijë lekë mund të ndërrojnë lehtësisht destinacionin e votës për shumë shqiptarë të varfër, të cilët pikërisht për shkak të kësaj alergjie që kanë krijuar me të drejtë për klasën politike, jo vetëm nuk gjejnë askund asnjë frymëzim apo ideal, po janë gati ta shesin votën e tyre për një darkë në klubin e fshatit.

Po  jetojmë në një kohë ku pronarët e fasonerisë së hashashit mund t’i deformojnë votën çdo punëtori të varfër që punon nga halli në këto fusha, dhe kjo do të bënte të pavlefshme ,çdo strategji partie, çdo koalicion, çdo përpjekje të ndershme politike. Shkurt dhe shqip jemi përpara një kërcënimi real ku votat e shqiptarëve të varfër mund të blihen në masë, madje jemi dhe nën kërcënimin eminent, që jeta e çdo njeriu të ndershëm që ka ndërmend të kandidojë, të jetë në rrezik. Në një nga qarqet e Shqipërisë PAA identifikoi një figurë akademike dhe vendosëm ta kandidojmë në krye të listës për zgjedhjet parlamentare të 2017-s, por mbas pak kohësh u tërhoq e më tha: Do mbështes partinë tuaj por ju lutem gjeni një njeri tjetër, mjedisi politik në qarkun tonë është shumë i egër e konfliktual dhe unë nuk e përballoj dot.Unë po jua  them hapur dhe me zë të lartë: Po nuk ndryshuam njëherë e mirë rregullat e lojës, po nuk plotësuam standardet, para, gjatë, dhe pas zgjedhore, jo vetëm që në garë për zgjedhjet elektorale do të shikoni vetëm njerëz me “këllqe” të forta e me para, por ne rrezikojmë të gjithë si klasë politike, të mirë e të këqij, me dhe pa rekorde kriminale , të njomë e të thatë, të digjemi të tërë në grup ,dhe mos habitemi që shumë shpejt ky popull i neveritur nga ne, të na hedhe ne koshin e plehrave.

Unë jam i bindur që kushdo që do t’i fitojë zgjedhjet në këtë mënyrë, këtë herë nuk do t’i gëzojë për një kohë të gjatë, sepse  Shqipëria nuk mban më.Nga ana tjetër unë e di që kjo klasë politike, dhe institucionet shqiptare të specializuara, pas 25 viteve eksperiencë, e dinë si bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme, thjesht duhet të dëshmojnë ndershmërisht vullnetin për këtë gjë.

Per te gjitha keto aresye, ne nje grup deputetesh ,kerkojme disa gjera, qe mund te behen ,edhe ne kohen qe ka mbetur, per te influencuar pozitivisht ne zgjedhjet e ardhshme parlamentare :PËRBËRJE JO

PARTIAKE TË KOMISONEVE ZGJEDHORE

Partitë janë shkaktarët kryesorë të prishjes së zgjedhjeve dhe deformimit të vullnetit të qytetarëve, prandaj procesi nuk duhet lënë në dorë të tyre. Ka plot modele të suksesshme nga vende të tjera se si mund të operohet në këtë drejtim.

NUMËRIMI ELEKRONIK I VOTAVE

Kam dëgjuar lloj – lloj broçkullash për  numërimin elektronik,  nuk ka kohë,  jemi vonë etj, etj. Jam i sigurt që edhe ju vetë jeni të bindur, provat janë të pafundme, se teknologjia, në këtë kohë që po jetojmë, ia gjen çelësin gjithçkaje në kohën e duhur dhe me cilësinë maksimale. Mjafton të kontraktosh një kompani të huaj dhe brenda një kohe të shkurtër numërimi elektronik bëhet realitet

KONTROLL TAVAN MBI SHPENZIMET E PARTIVE POLITIKE DHE AUDIT NDËRKOMBËTAR

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se deformimi i parë i madh vjen nga financimi i partive politike, nga errësira e këtij procesi. Tani kur sheh kudo fushat dhe kodrat e hashashit, ky proces, duhet rregulluar me një kuadër ligjor edhe më strikt, madje të ketë dhe një audit ndërkombëtar. Duke patur parasysh dhe faktin se një pjesë jo e vogël e ekonomisë shqiptare, klasifikohet nga raportet ndërkombëtare si ekonomi në të zezë, nuk mund të presim produkt të bardhe  nëse  e zeza do të vazhdojë të financojë politikën.

ASHPËRSIM Të MASAVE PËR SHITBLERJEN DHE TJETËRSIMIN E VOTËS

Kemi parë, jo pa keqardhje se si shqiptarë të varfër kanë përfunduar në burg e nuk po dalin akoma për vjedhje të energjisë elektrike, po shohim ashpërsime të Kodit Rrugor, të njëjtën gjë po bëjmë dhe me Kodin Penal. Në situatën në të cilën ndodhemi, ku çmimi votës është bërë më  lirë se gjeli i vitit të ri, nuk shoh arsye dhe nuk gjej logjikë pse te mos i pesëfishojmë  masat ndëshkuese për shitblerjen e votës, jo vetëm për atë që ofron paratë por edhe për atë që i merr, madje dhe për atë që guxon të hyjë në tratativa për shitblerje votash. Tek ne “të fortit” e lagjes vazhdojnë të sfidojnë lirinë e zgjedhjeve pa i hyrë gjemb në këmbë, madje unë kam parë raste, kur ndonjë prej tyre, ulur në një karrige me tabaka përpara, 10 metra larg qendrës së votimit shpërndante “pensione” në euro sikur të ishte pagator kooperative, pa ia bërë syri tërr, madje mundohej te binte sa me shume ne sy, për rritur prestigjin  para shefave te tij.

TË DREJTË VOTE PËR EMIGRANTËT

Mbaj mend Partinë Socialiste , kur ishte në opozitë ,kerkonte me të drejtë qe votimin e  emigrantëve. Sot pas katër vitesh qeverisje s’ka bërë asgjë në këtë drejtim. Emigrantët s’mund t’i duam vetëm për remitancat, me të cilat është mbajtur për një kohë të gjatë ekonomia shqiptare. Por duhet të kenë të drejtën e votës kudo ku ata janë, përderisa janë qytetarë të Republikës së Shqipërisë.

HAPËSIRË E BARABARTË MEDIATIKE GJATË FUSHATËS

Edhe kjo është një pikë që duhet rregulluar në mënyrë rigoroze me ligj dhe për më tepër të monitorohet dhe të ketë sanksione për ata që i zbatojnë.

DEKRIMINALIZIM TË LISTAVE ZGJEDHORE

Ligji i dekriminalizimit, me iniciatore opozitën, dhe i miratuar në parlament, i nxitur dhe i monitoruar nga ndërkombëtarët, ka gurin e provës këtë here.

Jam i bindur se shqiptarët do të ndëshkojnë me votë çdo tentativë konkrete, për ta kthyer mbrapsht këtë zhvillim pozitiv, sepse ata e dinë që pa plotësim rigoroz të ligjit të dekriminalizimit, dhe pa një sitë të vërtetë, dështon edhe reforma në drejtësi, edhe zgjedhjet.

Të nderuar kolegë,  duke patur parasysh dhe situaten qe pershkrova me pare, ekonomine kriminale qe po lulezon me shume se kurre, varferine etj, por jo vetem keto, pas 25 viteve, e them me plot gojen se po nuk permbushem standartet e duhura para, gjate dhe pas zgjedhore, Shqiperia do te gjendet ne nje udhekryq, si kurre me pare.  Shqiperia mund te mare me te miren vetem nga nje qeveri e dale nga zgjedhje te lira dhe demokratike.

Sot, epoka në të cilën po hymë na detyron të mos mendojmë thjeshtë  për katër vjet, por për  më shumë, për të ardhmen e fëmijëve tanë.