Procesi zgjedhor i Bashkisë Kolonjë u mbyll në orët e para të mëngjesit të sotëm, me fitoren e kandidatit te ASHE-sē dhe me një xhest qytetar të shtrëngimit të duarve, nga ana e kandidatit rival te PAA-së z.Dritan Hajro.

Ky proces zgjedhor, pavarësisht faktit se kishim të bënim me një zonë historikisht ultra te majtë, u karakterizua nga një politizim dhe pjesëmarrje të jashtëzakonshme të administratës shtetërore në procesin zgjedhor, në kundërshtim me ligjin. Më konkretisht, i gjithe stafi i zëvendës kryeministrit me atë ne krye, u ul këmbëkryq në Kolonjë për më shumē se një muaj, duke braktisur punët dhe zyrat për të cilat paguhen nga tatimpaguesit, pa futur këtu armatën e drejtorave, nëpunësve etj.

Ministrat me në krye, Ministrin e Brendshëm u zhvendosën në këtë zonë të varfër të Juglindjes bastion i PS, thuaj se Kolonja ishte përplasja Klinton-Trump, dhe si për ti vënë qershinë mbi tortë, vetë Kryeministri la të gjitha hallet e popullit të Shqipërisë për të ardhur në Kolonjë ku tha, ti japim fund 25 vjet keq qeverisje megjithëse në 3 vjecarin e fundit ka qënë vetë ai në krye te shtetit. Panvarësisht kësaj kandidati i PAA-së mori rreth 40% të konsensusit popullor të kësaj zone fisnike. Në fund te këtij procesi zgjedhor PAA humbi përballë një partie shumë më të madhe se ajo, por arriti të krijojë struktura të qëndrueshme në këtë zone, të cilat do te shërbejnë për beteja të sukseshme në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare.

Të dashur miq,

Qytetarë të Kolonjës!

Në emër të Partisë Agrare Ambientaliste dëshiroj të shpreh falenderimet e përzemërta për të gjithë qytetarët që morën pjesë në votime, pa asnjë dallim partiak. Në veçanti falenderimi shkon për ata që votuan me besim platformën e kandidatit tonë, Dritan Hajro, platformë që kishte në themel punën dhe dinjitetin, patforme që synonte zhvillimin e Kolonjës. Kjo krahinë ndër më të bukurat në vend, do të qeveriset sërish nga ata që e kanë pasur historikisht , sidoqoftë ne urojmë që Ilia Stefo t’i mbajë të gjitha premtimet dhe të mos i zhgënjejë qytetarët e Kolonjes. Dua të falenderoj kandidatin Dritan Hajro për fushatën që zhvilloi, Partinë Demokratike për mbështetjen dhe gjithë anëtarët e simpatizantët tanë, që shkuan derë më derë, komisionerët, numëruesit, vëzhguesit, që kanë punuar shumë gjatë gjithë kësaj kohe. Gjatë fushatës në Kolonjë kam pasur qindra takime me banorët dhe deri më tani besoj se kjo mbetet një prej përvojave të mia më të bukura. I premtoj kolonjarëve se angazhimi i Partisë Agrare Ambientaliste do të vazhdojë pa u ndalur asnjë çast, në rrugën drejt përmbushjes së zotimeve tona dhe realizimit të politikave që sjellin zhvillim të qëndrueshëm të zonave rurale, jo fasada dhe projekte kalimtare thjesht për qëllime elektorale.

Agron Duka

Kryetar i PAA