Përjashtimi i Berishës nga Kuvendi për 10 ditë, PAA i bashkohet bojkotit të opozitës

98

Partia Agrare Ambientaliste do të bojkotojë për 10 ditë punimet e Kuvendit duke u bërë kështu pjesë e vendimit të opozitës. Vendimi në fjalë u komunikuan nga kryetari i PAA, z. Agron Duka, gjatë një takimi me strukturat në Korçë.

“Kohët e fundit, jo për faj të opozitës, po për shkak të mazhorancës nuk arrihet një gjuhë komunikimi, por përjashtimi i një prej deputetëve të opozitës siç është zoti Berisha. Prandaj edhe opozita ka marrë vendimin që gjatë këtyre 10 ditëve kur është i përjashtuar zoti Berisha me të padrejtë të mos marrë pjesë por të bojkotojë punimet e Parlamentit. Partia Agrare Ambientaliste bashkohet me Partinë Demokratike në bojkotin e Parlamentit për 10 ditë. Natyrisht bojkoti nuk është gjëja më e mirë që mund të bëjmë por kur kjo diktohet dhe kur nuk ka rrugë tjetër, atëherë kjo është rruga e vetme. Unë uroj që mazhoranca dhe opozita të mundohen të gjejnë gjuhën e përbashkët ndërmjet tyre në mënyrë që nëpërmjet realizimit të reformave të domosdoshme jo vetëm për politikën por për gjithë shqiptarët siç ështe ajo e drejtësisë dhe reforma zgjedhore të mund të bëjnë që ky popull të ecë akoma më shumë përpara” tha zoti Duka.

Po ashtu kryetari i Partisë Agrare Ambietaliste lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë në lidhje me situatën e rëndë ekonomike të krijuar në vend. Ai i bëri thirrje qeverisë të heqë dorë nga rruga pa krye që ka nisur.

“Ekspertët e Bankës Botërore vlerësojnë se Shqipëria është e fundit në të gjithë rajonin  sa i përket uljes së varfërisë. Ngjarja e ditëve të fundit, e biznesmenit të huaj, i cili u deklaroi qeveritarëve tanë se për shkak të taksave mbytëse u detyrua të pushonte 80 punonjës duket se vërteton këtë pohim, ashtu sikurse e vërtetojnë këtë gjendje të vështirë ekonomike edhe vetë shifrat e INSTAT-it. Bankat nuk po i mbështesin më bizneset me kredi. Banka botërore na informon gjithashtu se të pakëtn 35 kompani të mëdha shqiptare janë në listën e bizneseve që kanë kredi me probleme. Ky partner i rëndësishëm ndërkombëtar e ka trajtuar vazhdimisht me shqetësim këtë çështje. Edhe në raportin e saj për Europëm Juglindore, Banka Botërore theksoi se këto kredi përbëjnë rrezikun kryesor që i kanoset ekonomisë së vendit tonë. Gjithashtu investimet publike dhe private mungojnë. Për shkak të problemeve në ekonominë shqiptare, Partia Agrare Ambientaliste i bën thirrje qeverisë aktuale të heqë dorë nga rruga pa krye e deritanishme dhe të reflektojë me pjekuri për të ndryshuar drejtim dhe për të zbatuar politika që nxisin ekonominë, me synim rritjen e punësimit, konsumit dhe të kreditimit bankar për biznesin shqiptar” tha z. Duka.

Ndërkohë gjatë këtij takimi të shumtë ishin edhe fermerët që ngritën shqetësimet që hasin. Një nga fermerët u shpreh se ndjehen të kërcënuar me burg për çdo veprim që bëjnë. “Mua më është dashur të aplikoj për leje ndërtimi për kasollen e lopës. Atje më kërkuan projektin e bërë nga një studio projektuese, më kërkuan projektin e inxhinierit elekretik dhe atij hidraulik, plan vendosje, etj, a thua se po bëj pallat 17 katësh. Mua nuk më bën kasolloja me gjithë lopë sa bëjnë këto projekte dhe inxhinierë” tha një nga banorët. Një tjetër problem që u ngrit ishte edhe ai i tregut, pasi produkti vendas nuk ka treg për shkak të importit të produkteve të huaja.