Të dashur miq,
15 muaj më parë, me një grup miqsh dhe kolegësh, morëm iniciativën për t’i dhënë frymë dhe energji të reja Partisë Agrare Ambientaliste, një nga partitë e para të pluralizmit shqiptar.
Shumë prej nesh, secili prej nesh, erdhi në këtë parti me një ideologji të përcaktuar, me një të shkuar aktive në forca politike të ndryshme nga njëra tjetra, me beteja të zhvilluara nga llogore të ndryshme të jetës sociale.
Por, të gjithë na dallonte një ndjenjë dhe një vullnet i përbashkët për të themeluar një shtëpi të re politike, ku secili nga ne të sillte në ‘të eksperiencën e tij dhe dëshirën për të tejkaluar ideologjinë në funksion të një politike të re, të përqëndruar tek çështjet dhe tek programet konkrete.
Nga dita e parë u zotuam se do të jemi zëri i 50% të popullësisë që jeton dhe punon në zonat ruarale. U zotuam se do të jemi, në çdo institucion politik të vendit, rojtarët e 350 mijë fermerëve që japin një kontribut të madhë në prodhimin e vendit, por që marrin kaq pak nga buxheti i shtetit.
Këto çështje, ndonëse jo shumë atraktive për politikën e zakontë, janë për ne prioriteti i ekzistencës tonë politike. Në asnjë moment nuk jemi mundur t’i ndajmë ato në të djathta apo në të majta, por vetëm në të dobishme apo të padobishme për interesin e qytetarëve.
Sot jemi përballë një momenti të veçant të jetës politike të vendit. Pas një beteje të gjatë për garantimin e votës së qytetarëve, u gjendëm përballë një zgjedhje. Të garonim të vetëm në 25 qershor, me rrezikun e mospërfaqësimit parlamentin e ardhshëm për shkak të një kodi zgjedhor ndëshkues për partitë e vogla, ose të vendosim disa nga kandidatët tanë nën siglën e Partisë Demokratike.
Edhe pse ishte një zgjedhje e vështirë, gara nën siglën e PD-së ishte alternativa e vetme që mundësonte jo vetëm mbijetesën e PAA-së si subjekt politik, por faktorizimin e mwtejshwm dhe një mundësi reale për të kthyer në politka konkerte programet që kemi hartuar sëbashku.
Përpara këtij fakti, punën e shkëlqyer që kemi zhvilluar të gjithë bashkë, duhet ta konkretizojmë në 25 qershor duke mbështetur kandidatët tanë. Vota jonë për Partinë Demokratike nuk është vetëm një votë në mbështetje të Olsit, të Adit apo timen, por një votë në mbështetje të gjithë atyre burrave dhe grave që kanë punuar dhe do të punojnë për PAA-në dhe çështjet që ajo mbron dhe përfaqëson.
Unë, përpara se të isha një sipërmarrës dhe përpara angazhimit tim në politik, kam qenë një sportist. Njëzet vite të jetës time ia kam dedikuar volejbollit.
Nga sporti kam mesuar shumë për jetën. Kam mësuar disiplinën dhe shpirtin e sakrificës, edukatën sociale dhe respektin për tjetrin.
Sporti më ka dhënë edukatën e punës, një ego pozitive dhe një grint që ka qenë esenciale në çdo arritje të jetës timë. Por, mbi të gjitha, sporti më ka mësuar vlerën e skuadrës.
Për mua ekipi është i shenjtë, është shembulli më i shkëlqyer se çfarë mund të ndodhë kur të gjithë bëhen bashkë për një qëllim. Ju keni dëshmuar se e keni aftësinë për të qenë një, skuadrën tonë duhet ta forcojmë sot më shumë se kurrë.

Dua të falenderoj me këtë rast ata që i dhanë një emër dhe një fytyrë organizimit dhe strukturave tona në çdo qark të Shqiperisë: Arben Tafaj, Bujar Huqi, Zyhdi Rrashketa, Florenc Spahiu, Edmond Biçoku, Arjan Jaupllari, Marjana Ndoj, Eduart Sharka, Merita Hoxha, Artur Elezi

Të dashur anëtarë dhe simpatizant te PAA-së, ju falenderjoj nga zemra për gjithçka keni bërë në këto 15 muaj, bashkë do të bëjmë akoma më shumë!

Agroni