Ju ftojmë të merrni pjesë në protestën e 18 shkurtit 2017

161

Katër muaj na ndajnë nga zgjedhjet politike të 18 qershorti, ndër zgjedhjet më të vështira që vendi ynë do të përballojë. Këto katër muaj përfaqësojnë shansin e fundit për qytetarët shqiptarë për të arritur atë që nuk kemi arritur gjatë këtyre 25 viteve, zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Që këto katër muaj të mos jenë thjesht një pasqyrim i këtyre katër viteve të keqqeverisjes, Partia Agrare Ambientaliste fton mbështetësit dhe qytetarët t’i bashkohen protestës së 18 shkurtit.  Arsyet për të qenë bashkë në këtë protestë janë të shumta. Ato ngrihen mbi jehonën e premtimeve të pambajtura nga qeveria Rama.

Ju ftojmë të mblidhemi dhe të protestojmë për 300 mijë vendet e punës që nuk u hapën kurrë. Ju ftojmë të protestojmë për shëndetësinë që është në ditë të hallit. Ju ftojmë të protestojmë për t’i dhënë  zë atyre qindra mijëra shqiptarëve që janë larguar nga mjerimi në të cilin lëngon vendi ynë.

Ju ftojmë të protestojmë kundër kanabizimit të territorit tonë. Ju ftojmë të protestojmë për kriminalizimin e parlamentit dhe të administratës. Ju ftojmë të protestojmë për t’i dhënë fund arrogancës dhe pandjeshmërisë që ka pushtuar institucionet tona. Por mbi të gjitha ju ftojmë të protestojmë sepse me këtë qeveri nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Rrugëtimi për votën e lirë të 18 qershorit do të fillojë këtë të shtunë, më 18 shkurt. Ejani t’i kujtojmë qeverisë dështimet dhe keqqeverisjen, ejani t’i kujtojmë se ky vend ka zot, ejani t’i kujtojmë qeverisë se të zotët e këtij vendi nuk janë trafikantët, hajdutët, koncesionarët, por qytetarët e ndershëm që kërkojnë një qeveri të ndershme dhe një votë të lirë.

Faleminderit