Intervista e plotë e zotit Agron Duka për gazetën Telegraf

36

Zoti Duka, cila është arsyeja, shkaku politik që Ju u larguat nga Partia Republikane?

Fjala “largim” apo “afrim” kam përshtypjen se qëllimisht po vishet me ngjyrime negative dhe dashakeqëse. Unë jam aty, ku kam qenë dhe ku kam deklaruar se do të mbetem; në opozitë me qeverinë “Rama” dhe në aleancë me Partinë Demokratike e koalicionin opozitar. Pra unë aty mbetem. Partia Republikane është një forcë e shëndetshme opozitare, me lider dhe struktura të konsoliduara dhe elektorat në rritje. Me kërkesën e Partisë Agrare dhe dashamirësinë e PR dhe kryetarit të saj, Fatmir Mediu dhe në konsultime të gjata e të shumta me aktorë politikë të dy partive, si dhe atyre të koalicionit kam marrë përgjegjësinë e rimëkëmbjes edhe të kësaj force politike.

Përse zgjodhët Partinë Agrare?

Zgjedhja ka qenë reciproke, siç e thashë. Pra ka qenë një kërkesë nga krerët dhe strukturat drejtuese të kësaj force për një rimëkëmbje të saj. Ndërsa unë vet kam një lidhje tashmë organike me të. Vij nga bota e agrobiznesit, kam drejtuar për 4 vjet ministrinë e bujqësisë dhe bashkë me mua vijnë për të kontribuar edhe një grupim shumë i madh e i rëndësishëm intelektualësh dhe figurash publike, jo vetëm me tituj e grada shkencore, por me kontribute të nderuara në jetën e vendit.

Cili është programi Juaj politik në Partinë Agrare?

Sot është dita ime e parë si kryetar, post për të cilin ndjehem i nderuar jo vetëm për zgjedhjen në vetvete, por edhe për mënyrën institucionale dhe statusore, se si u realizua ajo dhe për demokracinë e brendshme të asaj force politike. Dhe unë as nuk e çoj nëpër mend ta shkel këtë institucionalizim dhe demokraci të brendshme. Partia Agrare Ambientaliste e ka një program të sajin të paraqitur në zgjedhjet e vitit 2013. Të riun do ta punojmë së bashku, me strukturat e partisë dhe specialistët më të mirë dhe do ta miratojmë në kohën e duhur , me institucionet e duhura statutore. Ajo që mund të them është se vëmendja drejt fermerëve dhe agrobiznesit do të rritet ndjeshëm.

Çfarë do të ndryshoni te Partia Agrare dhe cili do të jetë PA në imazh politik, nga PA e deritanishme?

Qëllimi ynë nuk është aspak ndryshimi i imazhit, por vendosja në efiçencë e gjithë anëtarësisë dhe strukturave të partisë dhe ambicia për futjen në Kuvend, zgjedhjet e ardhshme me një numër të kënaqshëm deputetësh.

Në kë koalicion politik do të mbështetet tani Partia Agrare? Nga e Majta? Nga e Djathta?

Partia Agrare është pjesë e koalicionit opozitar të kryesuar nga Partia Demokratike. Po ashtu edhe unë si kryetar i saj kam ardhur në këtë Kuvend, si pjesë e të njëjtit koalicion. Ndryshimet e sotme u bënë në të mirë të rritjes së rolit dhe kontributeve brenda koalicionit opozitar ku ne jemi dhe do të jemi pjesë. E kjo nuk është e diskutueshme.

Ju, si një ish-socialist, me personalitet të shquar politik dhe shoqëror, do të bëni një ftesë, një hapje politike ndaj personaliteteve politike socialiste, që Edi Rama i ka përflakur nga PS?

As unë, as partia ime nuk kemi dalë për të ndjellë delet që ndahen nga tufat e të tjerëve. Në PAA ka kapacitete të rëndësishme intelektuale dhe politike për të realizuar objektivat dhe programet e veta. Por në asnjë mënyrë nuk mund të mbyllë derën për askënd. Pra , për të shmangur çdo keqkuptim; nuk përçajmë askënd, nuk joshim askënd, por kushdo që ndjen se mund të japë e mund të përfitojë më shumë tek ne, e ka portën e hapur në çdo kohë.

Cilat do të jenë raportet politike Tuaja, si PA me aleatët tradicionalë të PS, si Gjinushi, Milo?

E përsëris, ne jemi në këtë koalicion. Pra jemi me Partinë Demokratike dhe aleatët e saj. Si marrëdhënie politike, i kemi profesionale me të gjitha forcat. Pra bisedojmë, negociojmë, por në fund të fundit secili pozicionet përkatëse i ka të tijat.

Mund të na jepni Ju një vlerësim për Kongresin e PS, Statutin e ri që kryetarit të PS i jep mundësi të përjetësohet si kryetar Partie dhe çfarë përmbajtje politike është Referendumi i PS?

Kongresi është një institucion themelor i një partie politike. Unë e kam ndjekur me shumë vëmendje, por nuk më përket mua gjykimi i një çështjeje të brendshme të një partie tjetër.

A është PD një alternativë qeverisëse? Çfarë i mungon ende, për të fituar besimin e shqiptarëve për të qeverisur?

Natyrisht!! Rrugën në opozitë po e ndajmë së bashku dhe atë drejt pushtetit e kemi nisur së bashku. Mendoj se këmbëngulja e opozitës për dekriminalizimin e Kuvendit dhe gjithë administratës dhe politikës së vendit është një ndër treguesit e seriozitetit tonë për integrimin e vendit dhe një politikë ndryshe. Denoncimi i pandërprerë i aferave korruptive në sferat e larta të qeverisjes së vendit dhe aktivizmi mendoj se janë të tjerë tregues për përkushtimin dhe orientimin e kësaj opozite të sotme drejt një qeverisjeje të moralshme , demokratike dhe përfaqësuese të interesave të elektoratit nesër.

Ju si deputet, jeni pjesë e opozitës në Parlament apo mund të votoni tashmë, sipas konjukturave politike në Parlament, ligjeve që duhet të votohen?

Që kur kam hyrë në Kuvend në vitin 2001, unë e kam deklaruar botërisht dhe përsëritur, se unë aty jam për të përfaqësuar në radhë të parë interesat e votuesve të mi. Natyrisht që as unë dhe askush nuk ka shkopin magjik, ndaj dhe kemi zgjedhur Kuvendin dhe partitë e koalicionet përkatëse. Mënyra profesionale e të bërit politikë është diskutimi nëpër struktura e forume, por në fund disiplina parlamentare. Nëse në sallë njëri i bie gozhdës tjetri patkoit, nuk ka më demokraci, por anarki. Ne vendimin për votën në Kuvend do ta marrim së bashku me kolegët e tjerë të opozitës.