Arben Tafaj bashkohet me Partinë Agrare Ambientaliste

54

Partia Lëvizja Demokratike për Vlera, Mirqënie dhe Progres, me kryetar zotin Arben Tafaj, iu bashkua sot gjatë një ceremoni zyrtare Partisë Agrare Ambientaliste. Gjatë fjalës së tij para mediave kryetyari i PAA, zoti Agron Duka tha se “Nënshkrimi i marrëveshjes së sotme është fillimi i një bashkëpunimi masiv me të gjitha forcat e interesuara për një politikë aktive dhe serioze e po ashtu edhe të aktorëve civilë. PAA është e hapur për çdo bashkëpunim, duke i qëndruar, natyrisht, parimeve të luajalitetit dhe moralit politik”. Ndërkohë kryetari i LDVMP, zoti Arben Tafaj tha se “Marrëveshja e sotme është frut i dy muajve negociata dhe angazhim reciprok, që sollën bashkimin organik të dy partive tona në një logo të vetme. Me këtë veprim politik së bashku synojmë rritjen e peshës specifike në skenën politike shqiptare, sinkronizimin e zërit opozitar dhe aksionit politike me synim ndërtimin e një politike të re , efektive dhe të lidhur ngushtë me votuesin sa në qytet aq edhe në fshat”. Pas këtij bashkimi zoti Tafaj do të mbajë postin e Nënkryetarit të Partisë Agrare Ambientaliste.

Akt-marrëveshja e nënshkruar

Midis Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), përfaqësuar nga kryetari Agron Duka dhe Partisë Lëvizja Demokratike për Vlera Mirqenie Progres(LDVMP), përfaqësuar nga kryetari Arben Tafaj.

Pas vendimit të forumeve më të larta vendimmarrëse të Partisë Lëvizja Demokratike për Vlera Mirqenie Progres (LDVMP) për shkrirjen e kësaj partie me strukturat e Partisë Agrare Ambientaliste (PAA) dhe pas miratimit të këtij akti politik edhe nga forumet e larta vendimmarrëse të kësaj partie, sot më 11 maj 2016 ne kryetarët e këtyre dy forcave nënshkruajmë këtë akt marrëveshje, pas së cilës bashkohemi përfundimisht me Partinë Agrare Ambientaliste.

Për garantimin e një procesi sa më luajal dhe të ndershëm, deri në zgjedhjet e ardhshme në PAA, kryetari aktual i LDVMP, Arben Tafaj do të mbajë detyrën e nënkryetarit të PAA, ndërsa kryetar i partisë do të vazhdojë të qëndrojë zoti Agron Duka.

Fjala e plotë e Kryetarit të PAA, Agron Duka

Për ne si Parti Agrare Ambientaliste është në rradhë të parë një nder i madh ky besim i një force tjetër politike, e ngritur mbi vlerat e qytetarisë. Njëkohësisht ky besim është edhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme, kur ke parasysh se nuk është një grup individësh që i bashkohet forcës sonë, por një parti me programin e statutin e saj, me emrin eksperiencën dhe strukturat tashmë të ngritura.

Dua të theksoj se ky nuk është një bashkim mekanik njerëzish por një shkrirje organike i dy formacioneve të pjekura politike. Nuk është vendi dhe as koha sot për të bërë një analizë të gjatë e të thellë politike, por besoj që të gjithë jemi dakord se tregu politik është i etur për një forcë të re politike, me program të qartë e alternativa realiste.

Nënshkrimi i marrëveshjes së sotme është fillimi i një bashkëpunimi masiv me të gjitha forcat e interesuara për një politikë aktive dhe serioze e po ashtu edhe të aktorëve civilë. PAA është e hapur për çdo bashkëpunim, duke i qëndruar , natyrisht, parimeve të luajalitetit dhe moralit politik. 

Fjala e plotë e kryetarit të LDVMP, Arben Tafaj

Pas nënshkrimit të këtij akti dëshiroj të them dy fjalë për gjithë shqiptarët që kanë interes për politikën në vend. Ngjarja e sotme është frut i zhvillimeve të reja politike në vend. Duke vërejtur arbitraritetin në rritje të politikës së “rilindjes” dhe pasojat në jetën ekonomike e shoqërore të vendit, forumet drejtuese të Partisë Lëvizja Demokratike për Vlera Mirqenie Progres(LDVMP) prej kohësh ka theksuar doemosdeshmerine e zgjerimit te Partise LDVMP dhe parashtrimit te alternatives se saje per elektoratin Shqiptar ne kuader te nje bashkepunimi me te gjere me alternativat e ngjashme politike ne vend.

Duke parë energjinë e re dhe angazhimet e dukshme të Partisë Agrare Ambientaliste pas zgjedhjes në krye të saj të zotit Agron Duka forumet e larta të Partisë sonë më autorizuan të nis negociatat me kryetarin e ri të PAA dhe strukturat drejtuese të kësaj force për të bashkuar forcat.

Marrëveshja e sotme është frut i dy muajve negociata dhe angazhim reciprok , që sollën bashkimin organik të dy partive tona në një logo të vetme.

Me këtë veprim politik së bashku synojmë rritjen e peshës specifike në skenën politike shqiptare, sinkronizimin e zërit opozitar dhe aksionit politike me synim ndërtimin e një politike të re , efektive dhe të lidhur ngushtë me votuesin sa në qytet aq edhe në fshat.

Dëshiroj të falenderoj gjithë anëtarësinë e LDVMP për punën e deritanishme, për kontributin maksimal të secilit. Dëshiroj të falenderoj gjithashtu PAA dhe drejtuesit e saj për frymën pozitive dhe – atë që tashmë njihet nga të gjithë – burrërinë dhe fjalën e mbajtur.

Kam besim se në këtë rrugë, në zgjedhjet e ardhshme, të gjithë së bashku do të kemi një surprizë të këndshme për zgjedhësit shqiptarë.