Intervistë me z. Agron Duka, kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste: Duhet të krijohet një bujqësi moderne me zhvillim të qëndrueshëm, e orientuar ndaj tregut dhe eksportit, pasi vetëm një bujqësi e cila del në treg dhe prodhon për eksport është në gjendje të krijojë të ardhura të qëndrueshme për fermerin dhe ekonominë kombëtare…

Bujqësia mbetet një sektor i prapambetur dhe joefektiv i ekonomisë, që nuk është në gjendje të sigurojë produkte dhe të ardhura të mjaftueshme për familjen fshatare, sasi dhe cilësi të mjaftueshme të produkteve për tregun vendas, produkte konkurruese për tregun ndërkombëtar. Për pasojë, po vazhdon braktisja e sektorit të bujqësisë dhe po thellohet varfëria rurale. Ky është përkufizimi që i bën këtij sektori z.Agron Duka, njohës i mirë i bujqësisë, ish ministër i bujqësisë, sipërmarrës dhe që sot është i angazhuar në politikë si kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA).
Në një intervistë për Monitor, ai propozon disa zgjidhje që do i jepnin sektorit vlerë të shtuar , do nxisnin eksportet, do të zgjidhnin gangrenën e pronësisë së tokës (që ka sjellë copëzimin e saj dhe për rrjedhojë edhe produktivitetin e ulët) dhe do e bënin bujqësinë konkurruese dhe tërheqëse për investime.

Bujqësia është një sektor i rëndësishëm i ekonomisë së vendit dhe një sektor që punëson një numër të madh krahësh pune dhe për më tepër, në qendër të fokusit tuaj si forcë politike. Cilat janë, në analizën tuaj, problemet kryesore me të cilat përballet bujqësia në vend?

Shqipëria është përcaktuar si një ndër vendet më të varfra të Europës. Në ekonominë e vendit, bujqësia jep rreth 18% të Produktit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që mundësitë janë shumë më të mëdha. Raporti import-eksport i produkteve bujqësore e blegtorale është ende i lartë (1:8), që tregon nivelin real të ulët të prodhimit. Kjo gjendje është rrjedhojë e një kompleksi faktorësh pengues, ndër të cilët më të rëndësishmit janë:
-Inekzistenca e “Fermës bujqësore” si element bazë i zhvillimit të bujqësisë.
-Kostoja e lartë e prodhimit bujqësor, si një faktor frenues për zhvillimin e bujqësisë.
-Mungesa totale e Shërbimeve dhe e Infrastrukturës Financiare Rurale, faktor frenues për zhvillimin e bujqësisë dhe atij rural në përgjithësi.
Gjatë periudhës 4-vjeçare në kalim, nuk u zbatuan politikat dhe reformat e premtuara për zhvillimin e bujqësisë. Zbatimi diletant e jo i mirëkoordinuar i tyre, nuk arritën të sigurojnë progres të qëndrueshëm dhe perspektivë. Për rrjedhojë, bujqësia mbetet një sektor i prapambetur dhe joefektiv i ekonomisë, që nuk është në gjendje të sigurojë produkte dhe të ardhura të mjaftueshme për familjen fshatare, sasi dhe cilësi të mjaftueshme të produkteve për tregun vendas, produkte konkurruese për tregun ndërkombëtar. Për pasojë, po vazhdon braktisja e sektorit të bujqësisë dhe po thellohet varfëria rurale.

Problematika e Pronësisë mbi tokën është gangrena e zhvillimit të sektorit të bujqësisë në Shqipëri dhe kërkon një zgjidhje politike madhore, për të zhbllokuar bujqësinë dhe jo vetëm atë. Cili është Opsioni juaj për këtë zgjidhje madhore që do t’i jepte fund katrahurës së 25 viteve për problemet e pronësisë?

PAA ka një platformë, e cila nuk e sheh problemin e pronësisë së tokës të shkëputur nga politikat e tjera të zhvillimit të bujqësisë. Duhet të bëjmë një dallim ndërmjet problemit të pronësisë së tokës bujqësore dhe pronës në përgjithësi. Në rastin e tokës bujqësore, problem janë gabimet e komisioneve të ndarjes dhe mbimbulimet (për të njëjtën pronë dy pronarë) të cilat mund të zgjidhen në rrugë administrative. Për sa u përket pronarëve të para 44-tës, duhet të theksojmë që platforma jonë kërkon ezaurimin e të gjitha mundësive për kthim dhe pastaj të procedohet me kompensim. Platforma synon (në kuadrin e dekriminalizimit) verifikimin e të gjithë abuzimeve me tokën bujqësore. Ne synojmë që në një kohë rekord, brenda një mandati të realizojmë:
1. Konsolidimin e pronësisë ose sigurisë së pronës;
2. Krijimin e sistemit të administrimit të tokës dhe të informacionit të unifikuar;
3. Konsolidimin e tokës, prioritet për zhvillimin e bujqësisë;
4. Mbrojtjen e tokës nga urbanizimi pa kriter, dëmtimet fizike dhe kimike, erozioni, dezertifikimi etj., të kombinuara me investime dhe politikat për përdorimin e tokës, do të jenë prioritare.

Në Europën në të cilën ne po përpiqemi të integrohemi, sektori i bujqësisë zë një vend relativisht të vogël në GDP e vendeve të tij, ndërsa në Shqipëri, bujqësia përmendet si një nga sektorët me prioritet strategjik. Si e shikoni ju këtë perspektivë?

Ka vende të zhvilluara që bujqësia zë një peshë të konsiderueshme në GDP e vendit, ka dhe vende, që siç pyesni ju, nuk e kanë këtë peshë. Kjo varet shumë nga politikat e zhvillimit që ndjek një vend, nga resurset që ka çdo vend, nga kushtet klimatike që ofron territori i çdo vendi dhe shumë arsye të tjera.
PAA mendon se tre janë shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit, Bujqësia, Agroindustria dhe Turizmi. Ne mendojmë që zhvillimi i këtyre tre drejtimeve do të mundësojë rritjen e nivelit të jetesës së popullsisë për një periudhe afatmesme dhe afatgjatë. PAA vjen me propozime konkrete që bujqësia shqiptare të ketë prioritet strategjik si:
-Rritjen e kontributit të bujqësisë në GDP e vendit;
-Rritjen e investimeve publike në zonat rurale;
-Zhvillimin dhe modernizimin e agroindustrisë dhe sektorit të peshkimit duke mundësuar rritjen e punësimit në këta sektorë;
-Ndryshimin domethënës të raportit import-eksport për produktet me origjinë bimore dhe shtazore;
-Kontrollin për sigurinë ushqimore, standardet e produkteve dhe imputeve bujqësore;
-Politika efektive për subvencionet dhe ndryshim të skemës së përfituesve
-Mbrojtjen e mjedisit në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm

Tre janë shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit, Bujqësia, Agroindustria dhe Turizmi. Zhvillimi i këtyre tre drejtimeve do të mundësojë rritjen e nivelit të jetesës së popullsisë për një periudhe afatmesme dhe afatgjatë

Gjithmonë në kuadrin e integrimit të vendit në EU, si do të përballet bujqësia shqiptare me tregun e mbrojtur europian në të cilin me vështirësi çajnë produktet tona dhe nga ana tjetër, me konkurrencën që vjen nga produktet e subvencionuara të tij në tregun vendas?

Të çash tregun europian që tashmë është i konsoliduar nuk është gjë e lehtë, po jo e pamundur. Fakti që ne, megjithëse në sasi të vogla eksportojmë, tregon që ka mundësi. Po të bësh tregti me vendet e Bashkimit Europjan do të thotë që fillimisht t’u përshtatesh kërkesave të këtij tregu, gjë që sot nuk e kemi. Specialistët e PAA kanë nxjerrë konkluzione se, aktualisht, e kemi të vështirë të bëjmë tregti me vendet e Europës për arsye të kostos së lartë të produkteve bujqësore, cilësisë së tyre dhe sigurisë ushqimore. Partia Agrare Ambientaliste ka një strategji specifike në lidhje me përshpejtimin e procesit të hapjes së negociatave për anëtarësim, si dhe për të përfituar sa më shumë fonde nga ndihma e huaj e BE-së dhe partnerëve të tjerë. Strategjia konsiston në këto mekanizma për tre prioritete:
-Rritja e aftësive institucionale për përballimin e tre prioriteteve, duke monitoruar procesin e rekrutimeve të nëpunësve civilë, duke siguruar monitorim të të gjithë procesit nga një trupë e pavarur dhe transparencë të plotë për të gjithë aktorët në qeverisje; publiku, mediat, grupet e interesit.
-Bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe në veçanti me partnerët strategjikë (SHBA dhe BE) për plotësimin e paketës së ligjeve dhe akteve nënligjore në mënyrë të detajuar.
-Forcimi i masave të ekzekutivit për të garantuar luftën kundër korrupsionit. Për të dhënë shembull konkret në këtë luftë, hapi i parë do të jetë zbulimi dhe denoncimi i të gjitha skemave të korrupsionit të përdorura deri sot.

Sipërfaqja mesatare e fermave sot në Shqipëri është 1.4 ha, që konsiderohet tepër e vogël dhe pengon konkurrueshmërinë e bujqësisë për shkak të mungesës së ekonomisë së shkallës. Si parashikoni të ndikoni në rritjen e madhësisë së fermave shqiptare dhe në përgjithësi, për t’i ndihmuar të rrisin eficiencën e tyre?

Shqipëria ka kushte të shkëlqyera natyrore e klimatike për zhvillimin e bujqësisë dhe të zonave rurale. Ultësira bregdetare dhe një pjesë e zonave verilindore të vendit karakterizohet nga toka me potencial prodhues mesatar dhe të lartë.
Klima e vendit është tipike mesdhetare për zonën e ulët dhe deri kontinentale në zonat malore (diversiteti i klimës lejon diversitet zhvillimi). Shqipëria është nga vendet më të pasura të Europës me burime ujore, PAA është e vendosur të krijojë bujqësinë moderne me zhvillim të qëndrueshëm, të orientuar ndaj tregut dhe eksportit, pasi është e bindur se vetëm një bujqësi e cila del në treg dhe prodhon për eksport është në gjendje të krijojë të ardhura të qëndrueshme për fermerin dhe ekonominë kombëtare. Për të arritur këtë do të ndiqen hapat e mëposhtëm:
-Politika e intensifikimit në bujqësi, përmirësimi i tregjeve dhe marketingut.
-Zbatim i politikave ekonomike që i japin impulse zhvillimit të bujqësisë duke stimuluar zhvillim të aktiviteteve të reja.
-Nxitja dhe mbështetja e kooperimit bujqësor si një mekanizëm i vetëm për një bujqësi konkurruese.
-Për administrimin e tokave, duke mbështetur një treg aktiv dhe dinamik të titujve të pronësisë, PAA do të përfundojë procesin e regjistrimit të tokave duke thjeshtëzuar procedurat në marrjen e titujve të pronësisë.
-Do të mbështesim me fondet publike qeverisjen vendore për ndërtimin e thertoreve.
-Do të hartojmë dhe zbatojmë, politika të qarta sektoriale në mënyrë që produkti bujqësor të sigurojë të ardhura të mjaftueshme për familjen bujqësore, produkte ushqimore me çmime të lira për konsumatorin urban dhe të jetë kompetitive në tregun ndërkombëtar.
-Do të stimulojmë ngritjen dhe ristrukturimin për të gjitha shërbimet publike dhe private, në mënyrë që të nxisim përdorimin e teknologjive dhe dijeve më të përparuara në bujqësi.
-PAA do të punojë seriozisht për shëndetësimin e blegtorisë dhe për kontrollin e statusit epidemiologjik të saj, shtimin e produktit blegtoral, përmirësimin racor, profilaksinë veterinare të mbështetur nga fondet buxhetore që të krijojë premisa të mjaftueshme për eksportin e kafshëve dhe produkteve me origjinë shtazore në vendet e BE-së.

Cilët janë ata sektorë ku bujqësia ka avantazh konkurrues dhe si do i zhvilloni konkretisht ata?

Zhvillimi i bujqësisë në vendin tonë ka avantazhe dhe pengesa.
Nga avantazhet mund të përmendim:
Jemi një vend me kushte klimatike të përshtatshme për kultivimin e një sërë kulturash bujqësore, nga ato që kërkojnë klimë mesdhetare, deri tek ato me kërkesa të klimës kontinentale.
Së dyti, jemi një vend që kemi burime ujore të mjaftueshme, të cilat po të menaxhohen mirë, mundet të rritin prodhimin deri në dyfishim.
Së treti, për arsye dhe të nivelit ekonomik, në krahasim me vendet e tjera përdorim më pak plehra kimike e pesticide, që do të thotë se produktet tona janë kimikisht më të pastra.
Opinioni i specialistëve të PAA është që bujqësia e vendit tonë, në vija të përgjithshme duhet të zhvillohet në drejtim të kultivimit të perimeve, të frutikulturës, olivikulturës e vreshtarisë. Zhvillimi në mënyrë specifike për kultura të ndryshme, do të varet nga kërkesat e tregut.

Sistemi aktual i garantimit të cilësisë ushqimore fut ujë nga të gjitha anët, që nga përdorimi i hormoneve nga fermerët lokalë e deri te tregtimi i produkteve të skaduara në tregun ushqimor. Çfarë plani keni për garantimin e cilësisë ushqimore në vend?

Është e vërtetë që ka shumë probleme në drejtim të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit. Nuk mendoj të zgjatem, sepse konsumatorët prekin çdo ditë aspekte të këtij fenomeni.
Partia Agrare Ambientaliste, në fushën e sigurisë ushqimore dhe shërbimit veterinar, ka vizion të saj, mbrojtjen e shëndetit publik, si dhe shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve duke u fokusuar në këto aspekte kryesore:
-Forcimin e kapaciteteve njerëzore profesionale dhe kualifikimit të tyre konform standardeve dhe kërkesave të BE-së.
-Përmirësimin e teknologjisë dhe aparaturave bashkëkohore të kontrollit dhe matjes me qëllim që të shmanget mundësia e abuzimeve duke mos provuar, duke mos dokumentuar apo duke mos raportuar abuzimet në këtë sektor.
PAA për mbrojtjen e konsumatorit propozon:
-Krijimin e hapësirës së duhur për qytetarët dhe shoqërinë civile, për t’i bërë bashkëpunëtorë në denoncimin e abuzimeve dhe forcimin e masave të sigurisë së ushqimit.
-Për forcimin e kontrollit të cilësisë dhe të sigurisë së prodhimeve ushqimore, do të dimë të forcojmë rolin e autoritetit qendror në fushën e sigurisë së ushqimit, duke realizuar ndryshimet e nevojshme ligjore të harmonizuara në të gjitha llojet e këtij shërbimi, për t’i dhënë fund kaosit institucional në këtë fushë dhe për të lehtësuar proceset integruese.
-PAA do të përshpejtojë përshtatjen dhe përfshirjen në legjislacionin e vendit të direktivave komunitare në fushën e cilësisë dhe të sigurisë së ushqimit.

Qeveria aktuale ndryshoi skemën e subvencionimit, duke e zhvendosur nga fermeri te qendrat e grumbullimit. Sa efektive e vlerësoni këtë skemë dhe cili është propozimi juaj për subvencionimet në bujqësi?

Problemi i subvencionit të fermerëve dhe i skemave që përdoren është diskutuar shumë, madje dhe unë e kam trajtuar në disa intervista e shkrime në gazetë. Faktikisht, skema që përdoret sot nuk e mbështet fermerin. PAA mendon se, në radhë të parë, subvencioni i bujqësisë dhe mbarështimit të blegtorisë është i domosdoshëm dhe duhet të shtohet qoftë në sasi ashtu dhe në aktivitete. Së dyti, nga skemat duhet të përfitojë në radhë të parë fermeri dhe organizatat prodhuese. Në fokusin e programit tonë, duke studiuar dhe përvojën e vendeve fqinje, është dhe akreditimi i institucionit të AZHBR-së, në mënyrë që të mundësohet shtimi i thithjes së fondeve nga donatorët dhe aplikimi i skemave me koeficient sigurie të lartë ndaj korrupsionit.

Sistemet e taksimit në pjesën rurale të vendit dhe në sektorin ekonomik të bujqësisë kanë qenë tabu dhe pothuaj të gjithë qeveritë e kanë pasur “frikë” trajtimin e çështjeve si taksa e pronësisë në tokë bujqësore apo kategori të ndryshme të pronësisë në fshat. Si e poziciononi ju veten në këtë temë të politikës fiskale në ekonominë bujqësore?

Sistemi i taksimit edhe sot ekziston, p.sh., taksa e tokës. Problemi është se kjo taksë që mblidhet duhet t’i shërbejë atij komuniteti që e jep. PAA mendon që ka ardhur koha që sistemi i taksimit duhet futur edhe në zonat rurale, por duhet të ketë diferencime sipas treguesve të nivelit të jetesës.

PAA mendon që ka ardhur koha që sistemi i taksimit duhet futur edhe në zonat rurale, por duhet të ketë diferencime sipas treguesve të nivelit të jetesës.

Publiku ka perceptimin se fusha e konkurrencës së produkteve bujqësore është e vetmja çështje për të cilën angazhohet politika shqiptare në Shqipëri e në Kosovë. A do të keni ju një fokus në krijimin e politikave që do të çonin në integrimin apo krijimin e sinergjive në sistemet ekonomike në bujqësinë e dy vendeve‎? A e konsideroni këtë çështje me prioritet të lartë?

Administrata doganore në Kosovë në disa raste ka vepruar plotësisht e pavarur në përcaktimin për vlerësimin e mallrave të importit, ndërsa dogana shqiptare në disa raste ka vepruar krejt ndryshe, duke aplikuar ato që njihen si çmime dysheme. Kjo do të thotë se dogana shqiptare ka përcaktuar çmime minimale me të cilat lejohen importi i mallrave të caktuara. Kjo gjë nuk është bërë edhe nga ana e administratës së doganës kosovare, duke shënuar në këtë mënyrë një mungesë bashkëpunimi dhe shkëmbi informacioni për import–eksport të mallrave në mënyrë që të shmangeshin problemet.

Sa me interes e shikoni zhvillimin e bujqësisë organike për ta kthyer Shqipërinë në një eksportuese të fuqishme organike?

Më duhet të shpjegoj që aktualisht, produkti bujqësor në Shqipëri është i zakonshëm (konvencional). Vendet e BE-së aplikojnë një sistem tjetër, i cili quhet prodhimi bujqësor i integruar. Shkalla sipërore e këtij prodhimi bujqësor është produkti BIO. Ne na duhet mjaft punë që produkti bujqësor shqiptar të jetë i integruar, d.m.th. që fermeri shqiptar të respektojë kriteret bazë që janë sistemet e plehërimit dhe të mbrojtjes së bimëve sipas protokolleve, gjë që do të sjellë shmangien e ndotjes së tokës, ujërave freatik, mjedisit dhe produkt bujqësor pa mbetje të pesticideve dhe plehrave kimik (residues). Bujqësia organike, në konceptin e saj teknik, duhet të respektojë disa protokolle që janë pjesë e kartës teknologjike të prodhimit si një punë teknike shkencore e mirëfilltë, pra është një punë e madhe për të ndryshuar konceptin e prodhimit bujqësor nga ai konvencional në atë të integruar dhe për rrjedhojë produkti bio.

Në analizën tuaj aktuale, cili është krahu politik që ofron për ju aleatin më të përshtatshëm në realizimin e programit tuaj dhe pse?

PAA realisht është e rreshtuar në bllokun opozitar, jo për arsye ideologjike, por sepse ne mendojmë që çështjet me të cilat merret kjo parti, zhvillimi rural, bujqësia, blegtoria e peshkimi nuk kanë marrë zgjidhje nga mazhoranca qeverisëse. Për mjedisin, gjendja shumë e rëndë është evidente për të gjithë publikun, me miratimin e ligjit për importin e mbetjeve ajo rëndohet edhe më shumë. Në këto kushte, PAA është në pozicionin që i dikton situata aktuale.