Ndonëse listat për kandidatët për deputetë të subjekteve që garojnë në zgjedhjet e 18 qershorit nuk janë zyrtarizuar ende, në Partinë Agrare Ambiantaliste të drejtuar nga Agron Duka, gjërat janë të qarta dhe zyrtarizimi është thjesht çështje kohe. Për Qarkun Tiranë, lista e kandidatëve do të kryesohet nga Adi Haxhiymeri, sipërmarrësi i suksesshëm që ka vendosur të bëjë kapërcimin nga biznesi te politika. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Haxhiymeri zbulon më shumë për rrugëtimin e tij politik me PAA-në dhe sfidat që e presin si kryesues i listës për deputet në qarkun më të madh të vendit.

Përse zgjodhët të angazhoheni në politikë?

Kalimin nga fusha e biznesit në atë të politikës e kam ndjerë si një impenjim fisnik ndaj qytetit tim dhe vendit tim. Për mua është një angazhim social përpara se të jetë një angazhim politik. Vlerat që Partia Agrare Ambientaliste promovon kanë në fokus tema që janë në interes të çdo qytetari: ambienti dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Xhorxh Bush ndër të tjera u tha amerikanëve kur kandidoi për president, “Amerikanë! Ju keni ëndrra për vete, fëmijët tuaj, familjen tuaj dhe për të mundësuar këto ëndrra ju duhen para në xhep, e këto para ju duhet t’i fitoni me punë, me djersën e mundin tuaj”.

Kjo është dhe oferta ime dhe ajo që ne përfaqësojmë. Ne Partia Agrare Ambientaliste jemi bashkuar për t’u bërë nesër një familje e përbashkët më e mirë. Koha për zgjidhje kërkon njerëzit për zgjidhje dhe ne jemi të duhurit, sepse kemi një trashëgimi të tillë, kemi në kujtesën dhe parimet tona premtimin dhe fjalën e mbajtur. Ne vijmë për të dhënë shpresë.

Si dallon politika nga sipërmarrja?

Në gjykimin tim nuk janë shumë ndryshe nga njëra-tjetra. Sipas meje politika është menaxhim. Është një menaxhim burimesh njerëzore, menaxhim projektesh, menaxhim buxheti, pra është shumë afër me botën e sipërmarrjes. Eksperienca ime shumë-vjeçare në botën e biznesit do të më ndihmojë të sjell pragmatizëm në politikbërje.

Në një farë mënyre janë të dyja biznese, njëri i qeverisjes së mirë, tjetri i lirisë së qeverisjes. Ne duhet të harmonizojmë të dyja për të marrë më të mirën dhe kështu produkti na bën konkurrues në të dy “tregjet”, duke qenë burimet njerëzore diferenca e secilës sipërmarrje.

Ne jemi keqmësuar të shohim politikanë që bëhen biznesmenë, e unë do të thoja më mirë një drejtues politik që është bërë i pasur nga puna e tij, se sa një politikan që fillon e bëhet i pasur nga taksat tuaja.

Ju do të kryesoni listën e PAA në Tiranë, çfarë do të thotë kjo për ju?

Po, besimi që më dha PAA dhe kryetari i saj z. Duka duke më bërë mua dhe zotin Arben Tafaj, dy djemtë tiranas, që i përkushtohen qytetit të tyre, është privilegj.

Ne do të përfaqësojmë çdo lagje tonën të vjetër e të re, që kryeqytetasit të çojnë në Kuvend, djemtë e tyre, duke shkundur nga harresa hallet e pazgjidhura të Qarkut të Tiranës e  të gjithë vendit, banorëve të saj të vjetër, dashuria e të cilit formësoi atë që sot ne i themi zemra e Shqipërisë.

Ky është impenjimi juaj i parë me politikën, përse pikërisht me PAA?

Së pari ishte ftesa e z. Duka, e cila gradualisht solli natyrshëm një program konkret, ku çdo qytetar gjen një vëmendje më  të madhe. Kjo na angazhoi së bashku për të marrë përgjegjësi, që mos të rendim vetëm pas përditshmërisë sonë individuale, por përditshmërisë së përbashkët.

Unë doja të bëheshim NE. Kështu ia dalim më mbarë dhe ndryshojmë më shpejt, sheshojmë më tepër pengesa dhe ndërtojmë më shumë të ardhmen.

 A mund të ndani me ne disa nga objektivat tuaja politike?

Objektivat e mia politike përkojnë me ato të Partisë Agrare Ambientaliste. Ne jemi një parti me identitet të mirëpërcaktuar dhe me një program shumë të qartë me propozime konkrete dhe të realizueshme. PAA është një parti “çështje”, kemi në qendër të aktivitetit tonë zhvillimin e qëndrueshëm, mundësi të barabarta dhe një mjedis të denjë fizik dhe social. Me përulësi do të propozojmë iniciativa që do të kenë efekt të prekshëm në përmirësimin e jetës së përditshme në zonat rurale dhe në qytete. Betejat tona politike do të kenë në fokus eliminimin e varfërisë rurale dhe zhvillim rural të qëndrueshëm, përmirësimin e prodhimeve bujqësore , rritjen e sigurisë ushqimore dhe një mjedis cilësor.

Ne jemi ajo çfarë ushqehemi, ajri që marrim, rruga ku shkelim, shkolla ku fëmijët tanë shkojnë, spitali ku marrim shërbimin shëndetësor, ndaj nuk mund të lëmë pas dore, nuk mund të vëmë radhë për shërbimet.

Qytetari vendos detyrimin, Ne përkushtimin.