044533400
info@paa.com.al

Duka: Lufta për të shpëtuar pyjet është lufta për të shpëtuar të ardhmen tonë.

Mbrojtja e pyjeve është mbrojtja e jetës. Të angazhohemi të gjithë për ta ndalur këtë katastrofë.
Duka falenderon banorët e këtyre zonave, forcat e armatosura të Shqipërisë dhe Kosovës, SHBA dhe Bashkimin Europian për përkushtimin për të vënë nën kontroll zjarret, për të shpëtuar jetën dhe pronat për reduktimin e pasojave nga një prej fatkeqësive shumë të rënda që po kalon vendi ynë.
Djegia e mijera hektarë pyje, shkatërrimi i miliarda lekë pasuri private dhe pasuri publike, reduktimi katastrofik i sipërfaqeve të pyjeve që janë aq shumë të rëndësishme për ekuilibrat dhe ekosistemt mjedisore – duhet të na bashkojnë të gjithëve në parandalimin dhe përhapjen e zjarreve për të shpëtuar çdo shtëpi, pronë, dhe çdo pemë që me shpejtësi të frikshme po rrezikojnë të ardhmen tonë.
Qeveria duhet të qartësojë menjëherë, pa vonesë, pa burokraci skemat efektive të parandalimit dhe mbrojtjes së pyjeve, duhet të shpërblejë menjëherë të dëmtuarit dhe duhet të miratojë, të bëjë efektive dhe imponojë me forcën e ligjin një strategji kombëtare efiksase për parandalimin, reduktimin dhe menaxhimin sa më efikas të pasojave të fatkeqësive natyrore.
Vendi ynë duhet të bëhet pa vonesë pjesë e skemave të sigurimit nga fatkeqësitë natyrore të projekteve rajonale dhe europiane si një mundësi e menaxhimit të koordinuar të fatkeqësive të tilla por edhe e ndarjes së kostove të rënda financiare nëpërmjet skemave të sigurimit dhe risigurimit nga këto fatkeqësi.
Pa këtë vizion, pa këtë përgjegjësi, pa këtë angazhim të përditshëm të saj dhe të vetë qytetarëve – pasojat rrezikojnë të jenë të konsiderueshme, arritjet e disa brezave mund të fshihen nga faqja e dheut në të qindat e sekondave, burimet natyrore dhe ambientaliste të reduktohen ndjeshëm, burime të rëndësishme të taksave të shkojnë për rikuperimin e dëmeve të fatkeqësive duke reduktuar burimet e financimit të prioriteteve jetike si kohezionin social, arsimin, shëndetësinë, ekonominë e gjelbër dhe ekonominë e dijes.
Kostot e fatkeqësive natyrore e kanë rritur ndjeshëm dhe po e bëjnë më të rëndë borxhin e pakontrolluar mbi taksapaguesit shqiptarë. Shpëtimi i jetës dhe pronës janë prioritare në çdo politikë publike, reduktimi i kostove financiare që rrisin borxhin publik dhe varfërinë po ashtu është në thelbin e mirëqeverisjes së financave publike.