044533400
info@paa.com.al

Kryetari i PAA z. Duka: Kjo nuk është skemë patronazhi – por presioni psikologjik deri me heqjen e bukës së gojës

Rilindasit fajtorë për këtë shpërdorim detyre po fshehin kokën e krimit elektoral si struci në rërë.
Rilindasit terrorizuan mijëra punonjës të administratës publike dhe të kompanive publike të dorëzonin një listë me jo më pak se 10 votues potencial ku përfshiheshin edhe të dhënat personale si ID dhe telefoni. Këtë e dinë të gjithë drejtuesit e PS, të gjithë ministrat, kryetarët e bashkive dhe drejtues të kompanive publike.
Për pasojë janë dorëzuar qindra mijëra lista të cilat për t’i hedhur në databazë excel-i duhet të jenë angazhuar qindra individë në zyrat e PS, bashkive, ministrive apo kompanive publike. E pabesueshme që mijëra njerëz dhe socialistë të mirë pranojnë këtë shtypje dhe nënshtrim edhe psikologjik.
E pabindëshme mungesa e aftësisë hetimore për ketë keq-shpërdorim detyre të krerëve të Rilindasve, të ministrave, kryetarëve, bashkive, deputetëve dhe drejtorëve të kompanive publike.
Pse një popull i tërë kaq i frikur!?
“Kur populli ka frikë nga qeveria kjo është diktaturë. Kur qeveria ka frikë nga populli kjo është demokraci” shprehej ish-presidenti amerikan Jefferson.
Pse asnjë shqiptar akoma nuk guxon të fillojë fushatën denoncuese të këtij krimi elektoral siç bënë qindra gra të guximshme me lëvizjen “Me Too/Edhe une”
Duhen vetëm pak individë të përgjegjshëm ndaj vendit të tyre t’a fillojnë ortekun popullor kundër kësaj tiranie qeverisëse ku varfëria, frika, korrupsioni dhe kapja e shtetit mbijetojnë së bashku – duke prodhuar një varfërim të mëtejshëm të gjithë shqiptarëve.
Vetëm guximi dhe përgjegjësia ndaj të ardhmes të familjeve dhe Shqipërisë mund t’a shpëtojë Shqipërinë nga ky realitet shoqëror që prodhon frikë, pasiguri dhe vetë-nënshtrim.