044533400
info@paa.com.al

PAA: “Buxheti 2021 e nxjerr lakuriq dështimin dhe pa shpirtësinë e mbretërisë kryeministrore”

PAA duke analizuar buxhetin e vitit 2021 në politikat dhe shifrat e tij deklaron se: “Buxheti 2021 është buxheti i oligarkisë pasi vetëm kontratat e tyre paguhen 100% edhe në kohë krize. Shqipëria është i vetmi vend që në buxhetin 2021 nuk ka një paketë konkrete për të papunët, të varfërit, pensionistët dhe fshatin.

Në buxhetin e vitit 2021 të papunët, të varfërit, pensionistët dhe bizneset janë braktisur. Mos-financimi i të varfërve, të papunëve, pensionistëve, biznesit dhe fermerëve dhe financimi 100% i oligarkëve vërteton se kjo qeveri është e pashpirt, arrogante, e babëzitur, e korruptuar dhe e kapur.

Bujqësia në vitet 2013-2020 është e keq-financuar me vetëm rreth 57 qindarka për çdo 100 lekë shpenzime buxhetore. Bujqësia do të ketë të njëjtin fat edhe në vitin e fundit të kësaj qeverisje të paaftë dhe të dështuar. Projektet 3D janë thjesht kopje marketingu dixhital që përdoren për të fshehur dështimin e qeverisë dhe braktisjen e Shqipërisë.

Shpirti i kohezionit dhe solidariteti social i këtij buxheti mungon. Paketa për të papunët dhe të varfërit e rinj është e paqartë, e paplotë dhe jo efikase. Edhe me buxhetin 2021 Shqipëria do të mbetet vendi ballkanik që i mbështeti më pak të goditurit nga pandemia.

Buxheti i vitit 2021 qartëson edhe një herë braktisjen e madhe që qeveria në dështim dhe në ikje ju ka bërë shqiptarëve gjatë 8 viteve të fundit. Edhe pse harxhon miliarda lekë marketing 3D për fasadën e përditshme populiste dhe elektorale, realiteti i përditshëm i të gjithë shqiptarëve, të papunëve, të varfërve, pensionistëve dhe i fshatit e tregon lakuriq “mbretërinë” kryeministrore.

PAA apelon se në diskutimin nen për nen të buxhetit, buxheti kundër pandemisë dhe buxheti për rindërtimin duhet të jenë të veçantë, ku të qartësohen politikat, investimet, burimet e financimit dhe grafiku i implementimit të tyre. Mbështetja për fshatin duhet të jetë e integruar në mirë-arsimimin, shëndetin dhe ambientin për biznes. Hapja e buxhetit, rritja e transparencës, lehtësimi i kuptimit të çdo informacioni të buxhetit janë elementë thelbësorë për një qeverisje të përgjegjshme. Mungesa e tyre vërteton keq-qeverisjen, dështimin, korruptimin dhe kapjen e shtetit.