Propozimi i kandidaturës së Ilir Metës për President të Republikës nuk ka ndryshuar asgjë për opozitën.

Kreu i PAA-së, Agron Duka, në një intervistë për Ora News tha se opozita mbetet e vendosur për të mos hyrë në zgjedhje pa një qeveri teknike.

Intervista e plotë

Meta President, e pritshme- Ishte një nga opsionet e mundshme për të gjetur ekuilibrat për pushtet mes mazhorancës, shpesh herë përflitej që mund të ndodhte kjo që ndodhi. Nuk është se u çudita.Asnjëherë nuk më ka shkuar mendja se mund të ishte Vasili kandidaturë për President, kur flitet për kandidaturat gjithmonë të parat janë hedhur për konsum, ai finali gjithmonë ka dalë në kohën e duhur. Më çuditin seancat, që duken farsë teatrale pa kandidatura, me gjoja thirrjen e opozitës për të gjetur kandidaturë të përbashkët, sepse tashmë ata e dinin që opozita nuk merrte pjesë në seancat plenare për zgjedhjen e Presidentit. Doli dhe Basha me deklaratën që Presidenti të zgjidhet nga populli. Në fund do mbetemi në një kandidaturë të vetme të mazhorancës, u bë zoti Meta. Besoj që nuk ka njeri të thotë që nuk është bërë për shkak të ekuilibrave mes aleatëve PS dhe LSI.

 Opozita nuk mbështet Metën- Opozita nuk e mbështet kandidaturën e dalë. Unë të them të drejtën kam njohje me zotin Meta por nuk jam në vështirësi të them se derisa jemi në politikë, unë do të mbaj qëndrimin e opozitës dhe nuk do marr pjesë në Kuvend.

Tryeza parlamentare, vendimi i opozitës për bojkot i paarsyeshëm-Ka qenë thjesht për një takim, zoti Meta na mori në telefon dhe la një takim në funksionin e kryetarit të Kuvendit për të diskutuar mbi situatën aktuale politike dhe për të propozuar ndonjë ndryshim në kodin zgjedhor. Mua mu duk normale dhe i dhashë fjalën që do vij. Opozita vendosi të mos shkojë, unë shkova jo vetëm se i dhashë fjalën por mendoj që mirë është. Vendimi i opozitës për të mos marrë pjesë në një dialog të tillë nuk mu duk i arsyeshëm. Megjitahtë i qëndrova vendimit opozitar dhe nuk mora pjesë në takim, thjesht shkova meqë i kisha dhënë fjalën. Ka tjetër domethënie dhënia e fjalës për dje dhe kjo e sotmja. Presidenti është një institucion shumë i rëndësishëm, jo aq sa ka qenë, se vetë këta e kanë krasitur nga disa përgjegjësi që ka. Vendimi për të votuar apo jo i takon opozitës, unë i nënshtrohem vendimit që ka marrë opozita.

 Meta President kalon në avantazh Ramën-Për opozitën nuk ka ndryshuar asgjë, koalicioni ka qenë tashmë i konfiguruar. Nuk ndryshon asgjë që kryetari i LSI bëhet President i Republikës, është e njëjta aleancë që vazhdon. Ndoshta ndryshojnë marrëdhëniet mes vetë atyre. Meta me largimin nga skena aktive politike, duke dalë mbi palët, rrezikon rolin determinant që ka pasur forca e tij politike deri tani. Me këtë lëvizje Rama është njëfarë avantazhi sepse e ka fushën më të lehtë për të ardhmen e forcës së tij politike.

Opozita nuk merr pjesë në zgjedhje- Opozita është shprehur se nuk do marrë pjesë në zgjedhje pa siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Me zgjedhjen e Presidentit nuk ka ndryshuar asgjë. Opozita dhe PAA nuk merr pjesë në zgjedhje, mendojmë që nuk bëhen zgjedhje në këto kushte. Opozita ka përshkallëzuar veprimet e saj në një protestë të para disa ditëve dhe ka paralajmëruar një protestë masive në Kavajë në zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie. PAA nuk ka çeduar asnjë moment nga veprimet e opozitës. Në takimet që bëjmë ka opsionet e saj, ndonjëherë është apo nuk është dakord, por përgjthësisht ka marrë të njëjtat vendime që janë marrë në tryezën opozitare.

Duka konfirmon pjesmarrjen në tryezën e Ambasadorëve- Patjetër që do jem, është pozitive. Ambasadorët përveç se sjellin një qasje pozitive ndaj situatës aktuale politike, nuk sjellin asgjë negative. Personalisht do jem por besoj se do të jenë të gjithë partitë e tjera opozitare ose jo, parlamentare. Unë do jem. Sipas lajmërimit, Ambasadorët kanë thënë që do u njohim me negociatat e bëra mes mazhorancës dhe opozitës, mendojnë që ne nuk jemi njohur aq sa duhet. Megjithëse ne kemi bërë një tryezë me zotin Basha dhe jemi njohur me ofertat që janë bërë nga mazhoranca. Negociatat nuk përfundojnë në një moment të caktuar, janë një proçes i vazhdueshëm.

Deklarata e Lu për zgjedhjet- Absolutisht që janë të ligjshme, ligji as nuk i ndalon dhe as nuk përcakton sa parti do marrin pjesë në zgjedhje. Ambasadori Lu ka thënë atë që është e drejtë. Dhe nëse nuk merr pjesë PD, aq më pak partitë e vogla, zgjedhjet janë të ligjshme. Problemi është, cënohet apo jo demokracia. Të gjendet ekuilibri i forcave politike për të pasur një sukses në të ardhmen jo vetëm politik por dhe ekonomik. Nëse nuk merr pjesë opozita dhe PD në zgjedhje, ato janë të ligjshme por nuk besoj që zhvillimi ekonomik i vendit me një pjesë të politikës mund të jetë normal. E para nuk ka opozitë funksionale dhe e dyta ajo mazhorancë do të jetë vazhdimisht e shqetësuar për veprimet opozitare. Një qeveri e dalë vetëm nga një pjesë e politikës, qofshin të majtë apo të djathtë, nuk besoj se do të jetë jetëgjatë, nuk i shërben askujt.

Qeveria teknike Nuk mendoj se ka ardhur koha të heqim dorë. Në situatën aktuale dhe eksperiencën e kaluar nuk kemi besim se në Shqipëri mund të bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kemi një kërkesë të drejtë. Rruga që ne mendojmë është vetëm përmes një qeverie gjthëpërfshirëse. Këtë e ka thënë dhe një pjesë e mazhorancës, partia e zotit Meta që sot është bërë President i Republikës, do bëhet nesër zyrtarisht, ka shprehur shpesh pakënaqësi për situatën në Shqipëri, qoftë ekonomike, qoftë kanabizimin e Shqipërisë.

Çfarë nëse jo marrëveshje- Nëse nuk arrihet marrëveshje opozita këmbëngul se do të përshkallëzojë protestat deri në mosbindje civile, derisa të arrihet. Në politikë çfarë nuk mund të ndodhë. Rama ka qenë dhe këngëtar në një këngë para disa vitesh kur ka qenë kryetar bashkie dhe thOshte: Jetojmë në Tiranë, gjithçka mund të ndodhë. Gjërat në politikë janë të paparashikueshme.Nuk do dëshiroja asnjë situatë që mund të sillte përkeqsim të biznesit, të jetës së shqiptarëve. Nëse do ishte për mua, isha gati ta lëshoja.Por tre burra e kanë në dorë këtë, Edi Rama, Ilir Meta dhe Lulzim Basha. Ekuilibrat politikë nuk jemi ne që i bëjmë. Kam qenë dakord me propozimin e Bashës për qeveri teknike, kam menduar që është e drejtë dhe për shkak të eksperiencës sime në zgjedhjet e Kolonjës. Nëse nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme ne mund të vazhdojmë në të ardhmen të pjellim, të riciklojmë qeveri të inkriminuara.

 Protesta në Kavajë-Padyshim që do jem, edhe përkrahës të PAA. Partia jonë nuk ka frikë të hyjë në garën e zgjedhjeve,  se kryeministri thotë: Keni frikë, keni frikë! Jemi mësuar dhe të fitojmë dhe të humbnim. Kam bërë thirrje për maturi, nuk do më pëlqente asnjë lloj konfrontimi mes palëve, jemi të gjithë shqiptarë pavarësisht bindjeve politike.